×
Kërko

Të përgatitemi për kohë të vështira

Bibla i jep rëndësi të madhe mendjes suaj. "Ju u mësuat, " – thotë apostulli Pal miqve të tij të krishterë, “të përtëriteni në frymën e mendjes suaj” (Efesianët 4:22,23). “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj…” i shkroi ai një kishe tjetër (Romakëve 12:2).

Ju mund të dëshironi ti shërbeni Krishtit, por është e vështirë ndonjëherë kur jeta juaj – veçanërisht mendimet tuaja – nuk janë në përputhje me krishterimin. S'mund të shihni televizor, të shkoni në punë të nesërmen apo të hani drekë me kolegët pa u bombarduar me mesazhe të tilla që kundërshtojnë ose përqeshin besimin tuaj. Mendja juaj mund të bjerë pre e mendimeve. Bibla flet edhe për dëshirat dhe vullnetin tuaj, duke iu referuar atyre si zemra juaj. Urdhërimi më i madh është të doni Zotin me gjithë zemër. Aty ku është zemra juaj është edhe thesari juaj. Pali ka thënë, “…kini në mend gjërat që janë atje lart…. jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:1,2).

Ose mund ta gjeni veten duke përsëritur fjalët e profetit Jeremia: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9).

Perëndia ju ka dhënë mënyrën si të pastroni mendjen dhe të ndryshoni zemrën. Ai ju ka dhënë Biblën. Ndikimi i saj në jetën tuaj rritet kur e mësoni përmendësh.

Jezusi u tundua nga Satani pas agjërimit në shkretëtirë për dyzet ditë. Ai e qortoi Satanin sa herë që u tundua, duke cituar nga Ligji i Përtërirë. Ai tha: ``Është shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë’” (Mateu 4:4).

Dy vargje që kam mësuar përmendësh kanë shërbyer si një ishull strehimi shpirtëror sa herë që jam përballur me tundimin: “Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde? …E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:9,11). Unë s’jam më i ri, por mund të identifikohem me dëshirën e tij për të qëndruar i pastër. Jezusi u lut për dishepujt e tij: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). Duke mësuar vargje përmendësh ju transformoni të menduarit tuaj dhe fokusoheni te gjërat e duhura në kohë tundimesh.

Mësimi përmendësh i Biblës. Mund të përfytyroni një studiues vëngërosh të fshehur në ndonjë cep të një shkolle biblike (seminar), ose një fëmijë që reciton vargje të mësuara si rutinë. Lërini mënjanë këto ide. Mësimi përmendësh i Shkrimit ka rol thelbësor për rritjen tuaj shpirtërore. Kjo mund të duket si e paarritshme – jeni shumë të zënë ose të moshuar për të mbajtur mend shumë gjëra.

Psikologu Tim LaHaye shpjegon se mënyra si e kuptojmë ne mësimin përmendësh nuk ka shumë lidhje me bllokimin e mendjes sesa me bllokimin e ambicies: “Nëse unë ju kërkoj adresën ose numrin e telefonit, ju do ta mbanit mend lehtë. Kushdo që është në gjendje ta bëjë këtë, mund të mësojë përmendësh vargje nga Bibla. Sinqerisht, të mësosh përmendësh kërkon punë, por sjell më shumë shpërblim në jetën tuaj shpirtërore sesa ndonjë metodë tjetër e njohur studimi Bible.”1

Psalmi 1 përshkruan personin që mëson përmendësh Fjalën e Perëndisë dhe mendon shpesh për të (mediton):

“Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.” (Psalmi 1:1,2).

Kur të mësoni përmendësh Fjalën e Perëndisë, do të shihni se ajo bëhet pjesë e mendimeve tuaja. Do të shihni që do t’ju kujtohet papritur gjatë ditës. Nëse zgjoheni natën plot frikë apo zemërim, mund të zgjidhni të sillni në mendje vargje nga Fjala e Perëndisë që kanë lidhje me ato lloj emocionesh.

Psalmisti shpjegon rezultatin në jetën e një personi që mediton mbi Fjalën: “Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi” (Psalmi 1:3). Ata që meditojnë mbi fjalën e Perëndisë vazhdojnë të ecin dhe kur rruga bëhet e vështirë. Ata nuk dobësohen për shkak të presionit. Por qëndrojnë të fortë.

Jezusi e tregoi këtë me jetën e vet. Ne nuk mund të pretendojmë të jetojmë saktësisht si jetoi Perëndia i mishëruar dhe pa mëkat, por mund të vlerësojmë ato që vlerësoi Ai. Zgjidhni një nga ungjijtë dhe lexoni çfarë thuhet për Jezusin. Shpesh ai citon Shkrimin – përmendësh! Pothuajse 10 përqind e fjalëve të Jezusit te ungjijtë janë citime nga Dhiata e Vjetër. Duke mësuar Shkrimin përmendësh, Jezusi mund të përdorte vargun e duhur për nevojën e momentit, ashtu si një çirak që zgjat instinktivisht dorën te vegla e duhur. E njëjta gjë mund të ndodhë në jetën tuaj.

Romakëve 12:2 thotë, “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.” Mësimi i Shkrimit përmendësh është si një sitë ku mund të kaloni të gjithë mesazhet që merrni nga reklamat, miqtë në punë, familja…çdo gjë ndaj të cilës jeni të ekspozuar. Në vend që të qëndroni të konformuar me botën, ju transformoheni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj nga Perëndia.

Le të fillojmë. Shihni orën (ose orën në kompjuter) dhe vini re sa është ora. Vazhdimi kërkon pak përpjekje, por do të habiteni kur të shihni sa pak kohë nevojitet për të mësuar një apo dy vargje përmendësh. (Edhe ata që kanë mësuar përmendësh me mijëra vargje tashmë, kanë filluar me një varg). Le të provojmë me Filipianët 4:6,7:

“Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.”

Mësimi përmendësh fillon me familjarizimin. Lexojini vargjet disa herë me zë të lartë. Kjo e përfshin mendjen tuaj në disa mënyra: shihni, flisni, dhe dëgjoni. Pastaj i shkruani vargjet në një copë letre 3×5 ose në ndonjë letër të verdhë ngjitëse. Në këtë mënyrë ju mund ta ngjisni te frigoriferi ose në pasqyrën e banjës.

Tani përpiquni t’i thoni këto vargje përmendësh. Mos u ndjeni keq nëse duhet të shihni letrën për ndihmë. Vazhdoni t’i thoni vargjet frazë pas fraze. Pasi mendoni se i keni mësuar përmendësh, i shkruani diku.

Mbaruat? Shihni përsëri orën. Jeni tridhjetë e nëntë fjalë - dy vargje – më afër të qenit një person që mëson vazhdimisht vargje përmendësh.

Kjo është një listë vargjesh me të cilat mund të filloni mësimin përmendësh të Shkrimit:

  • 1 Korintasve 10:13
  • 1 Gjonit 1:9
  • 1 Gjonit 5:11-13
  • Romakëve 3:23
  • Gjoni 1:12
  • Romakëve 5:8
  • Efesianët 2:8,9
  • Galatasve 2:20
  • Filipianët 4:13
  • Romakëve 12:1,2
  • Romakëve 8:28
  • Gjoni 16:33
  • Efesianët 6:10,11
  • 1 Pjetrit 5:7
  • Veprat 1:8

(1) Tim LaHaye, Si të studioni Biblën vetë (Irvine, CA: Harvest House, 1976), p. 128.