Si t’u tregoj të tjerëve pa u ndrojtur për Jezusin?
Të nisim me lehtësi biseda për Perëndinë
Si mund t’i flisni dikujt për Perëndinë – dhe të DY të ndiheni rehat me këtë gjë?
Dhe, ku është ajo pika që mbaron biseda dhe ata ju falënderojnë? Lexoni më tej.
1. Një djalë kishte ardhur në shtëpinë time për të më rregulluar kompjuterin. Kur e rregulloi, patëm këtë bisedë:
Unë: Shoh që ke vënë një medaljon të Shën Kristoforit.
Tekniku i kompjuterit: Oh po, duhet. Udhëtoj shumë.
Unë: Po, e kuptoj. Mund të të rekomandoj që të shkosh mbi Shën Kristoforin, te dikush më lart, te Perëndia? Sepse Perëndia kujdeset për ty. Ai dëshiron edhe të të ndihmojë, të drejtojë jetën tënde dhe të kujdeset për ty. Ndoshta askush nuk të ka thënë ndonjëherë se si mund të kesh një marrëdhënie të tillë me Perëndinë. Mund të ta jap këtë kartvizitë? Është një uebsajt që do të të shpjegojë se si ta njohësh Perëndinë në këtë mënyrë. (I jap një kartvizitë të EveryStudent.com.)
Tekniku i kompjuterit: Uau! Falemnderit shumë. Do ta shoh që sonte. Jeni shumë e sjellshme. Do ta shoh që sonte. Falemnderit edhe njëherë.
2. Në një udhëtim me avion, vajza që ishte ulur pranë meje hapi një libër të madh me kapak të fortë, të horoskopit. Ajo e mori librin, e vuri gati në prehrin tim dhe nisi këtë bisedë:
Astrologia: Cila shenjë jeni?
Unë: Gaforrja. (Ajo shkoi menjëherë te faqja, duke shfletuar fletët, dhe filluam të lexonim bashkë.)
Unë: Po, kjo është e vërtetë për mua, edhe kjo dhe kjo. Uh, kjo jo, fare. E dini, ja problemi me këtë. Disa janë të vërteta e disa jo. Por, kur bëhet fjalë për jetën time, dua diçka që t’i besoj plotësisht, gjatë gjithë kohës. Perëndia më njeh plotësisht, sepse më ka krijuar. Ai di gjithçka që është e vërtetë për mua. Dhe, edhe më mirë, më propozon që të më drejtojë në jetë. Ai është i gatshëm që ta drejtojë këdo që do të fillojë një marrëdhënie me të. Ai na jep njohurinë dhe urtësinë e Tij për disa fusha kryesore të jetës sonë. DHE Ai është plotësisht i besueshëm. Ja, një uebsajt që shpjegon se si mund të kesh një marrëdhënie të tillë me Perëndinë. Shkrova: EveryStudent.com.
Astrologia: Falemnderit shumë. E vlerësoj vërtet. Do ta shoh.
3. Po qëndroja jashtë Uollmartit, kur erdhi një djalosh me makinë. Në stikerin që kishte ngjitur në makinë, shkruhej: “I lindur sërish pagan.” Patëm një bisedë të shkurtër.
Unë: Më fal. Dua vetëm të të pyes për stikerin.
Djaloshi: Oh, po. Gjëja më e madhe që më ka ndodhur.
Unë: E ke fjalën për adhurimin e perëndisë së erës, zjarrit, shiut etj. Po?
Djaloshi: Po. Im vëlla më futi në këtë rrugë. Më ndryshoi jetën!
Unë: Unë nuk di shumë për paganizmin, por kam qenë ateiste. Kam studiuar filozofët ekzistencialistë, si Niçen, Sartrin etj. Dhe pastaj një shok më foli se si mund ta njoh Perëndinë që krijoi universin. Kur e ftova Jezusin të vinte në jetën time, kërkimi im mori fund.
Djaloshi: Njësoj si unë. Unë jam duke kërkuar.
Unë: Mirë. Më jep adresën e imejlit dhe sonte do të të dërgoj një link që do të të ndihmojë vërtet shumë. Do të kesh edhe adresën time dhe mund të vazhdojmë të flasim.
Djaloshi: Fantastike. Falemnderit shumë.
Ja, ç’të bësh…
Ju vini re nevojat e tyre.
I kërkoni Perëndisë t’ju japë një dashuri të sinqertë për ta.
Tregojuni shkurt diçka që ju patë se është e vërtetë për Perëndinë. Ndoshta bëjuni disa pyetje.
Nxitini të vizitojnë EveryStudent.com. Shkruani linkun për ta ose kërkojuni adresën e imejlit, që të mund t’jua dërgoni.
Një ide e mirë…
Në kohën tuaj me Perëndinë, kërkojini Atij t’ju tregojë në Shkrim tri gjëra që janë të vërteta për Perëndinë. Pastaj shkruani (në letër ose në kopjuter) çfarë thotë Perëndia për veten. Vetëm disa fjali për secilën:
1. Është e vërtetë për Perëndinë…
2. Edhe kjo është e vërtetë për Perëndinë…
3. Dhe kjo…
Mund të keni një ide se çfarë mund t’i thoni dikujt në një bisedë të thjeshtë, të shkurtër. Dhe pyetjetejetes.com mund të jetë një burim i dobishëm për ju.