Kur rrëzoheni
Çfarë bëni me mëkatin??
Zyrës së taksave i erdhi një letër anonime:
Zotërinj:
Në zarf keni një çek prej $150. Vitin e kaluar bëra hile në pagesën e taksave dhe që atëherë nuk kam mundur të vë gjumë në sy. Nëse do të vazhdoj të kem probleme me gjumin, do t’ju dërgoj edhe pjesën tjetër.1
Secili prej nesh dëshiron të ndihet i falur për gabimet e veta. Por, lind pyetja se nga vjen kjo falje?
Për shkak se jeni të krishterë të gjitha mëkatet tuaja janë falur. Besoj se e besoni këtë gjë nga Bibla. Por si reagoni ndaj këtij fakti? Një mik, i cili këshillon shumë besimtarë, komentoi: "Disa të krishterë nuk e besojnë vërtetë që kanë mëkatuar; të tjerë nuk mendojnë se janë falur."
Unë do të doja t'ju ndihmoja të vlerësoni si realitetin e mëkatit tuaj ashtu edhe realitetin e faljes së Krishtit.
Çfarë është mëkati?
Ernest Hemingway ka thënë se nëse diçka është e moralshme, ndihesh mirë më pas; nëse është jo e moralshme, do të ndihesh keq më pas. Kjo është pikëpamja popullore e mëkatit – shumë njerëz kanë jetuar sipas këtij parimi. Por ky nuk është një këndvështrim biblik. Biblikisht, mëkati është një qëndrim i tillë kur dëshironi që gjërat të bëhen sipas jush, jo sipas Perëndisë.
Sa vlerë ka mëkati për Perëndinë? Ai nuk mund ta tolerojë mëkatin. "Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë." (Habakuku 1:13a) "Perëndia është dritë; në Të nuk ka kurrfarë errësire." (1 Gjonit 1:5a)
Kjo mund të duket e parëndësishme. A nuk ka paguar Jezusi për të gjithë mëkatet e tua? Pse të shqetësohesh për mëkatin kur Perëndia të do dhe ka një plan të mrekullueshëm për jetën tënde? Ndoshta duhet t'i shihni mëkatet si gabime, thjesht gabime në jetë.
Perëndia nuk e sheh kurrë mëkatin si të tillë. Për shkak të një mëkati, Adami dhe Eva u dëbuan nga parajsa. Për shkak të mëkatit Perëndia solli përmbytjen mbi tokë në ditët e Noeut. Ai solli zjarr në qytetin e Gomorrës dhe Sodomës për shkak të imoralitetit të tyre të madh. Mëkati i mbajti fëmijët e Izraelit në shkretëtirë për dyzet vjet.
Perëndia e urren mëkatin. Por neve na pëlqen mëkati, na bën të ndihemi mirë dhe bëjmë mëkat. Ashtu si Adami dhe Eva, ne mendojmë se e njohim të ligën dhe se mund të arrijmë që të mos mundemi nga e liga. Por ne nuk bëhemi si Perëndia, i cili është në dijeni të ekzistencës së të ligës, por nuk është i lig dhe as nuk i dorëzohet të keqes. Ne, nga ana tjetër, na tërheq e liga, dhe i dorëzohemi asaj.
Pala fajtore
Sa herë që mëkatoni, Fryma e Perëndisë brenda jush trishtohet. Ndonjëherë ju bën të ndiheni fajtor. Kur mëkatoni, ju po zgjidhni në atë moment të jetoni të shkëputur nga vullneti i Zotit për ju. Kjo nuk e bën Perëndinë t'ju urrejë. Ai përsëri ju do. Por kjo e trishton Atë: "Mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit." (Efesianët 4:30) Për të kuptuar ndikimin e mëkatit në ju, të shohim ndryshimin midis marrëdhënies tuaj me Perëndinë dhe miqësisë tuaj me Perëndinë.
Marrëdhënia juaj me Perëndinë | Miqësia juaj me Perëndinë |
Filloi kur pranuat Krishtin (Gjoni 1:12) | Filloi kur pranuat Krishtin (Kolosianëve 2:6) |
E përjetshme (1 Pjetrit 1:3,4) | Mund të pengohet (Psalmi 32:3-5) |
Mirëmbahet vetëm nga Perëndia (Gjoni 10:27-29) | Mirëmbahet pjesërisht nga ju (1 Gjonit 1:9) |
Nuk ndryshon asnjëherë (Hebrenjve 13:5) | Ndryshon kur mëkatoni (Psalmi 66:18) |
Mëkati nuk e ndikon marrëdhënien e përjetshme të Perëndisë me ju – që filloi kur ju besuat në Krishtin për faljen e mëkateve tuaja. Krishti vdiq për të gjithë mëkatet tuaja – të shkuara, të tashme dhe të ardhme. Në atë kohë, e gjithë jeta juaj i takonte të ardhmes. Për shkak të besimit tuaj në Jezusin, ju jeni plotësisht të falur. Marrëdhënia juaj me Perëndinë është e sigurt.
Megjithatë, mëkati ndikon miqësinë tuaj me Perëndinë. (Miqësi do të thotë shoqërimi çast pas çasti tokësor me Perëndinë). Mëkati ndikon komunikimin tuaj me Të dhe sa arrini të bëni vullnetin e Tij. Mëkati ju bën të dobët në ato gjëra që Krishti dëshiron që t'i mendoni dhe të bëni.
Psalmi 32:3-5 thotë: “Ishte një kohë kur nuk e pranoja sa mëkatar isha. Por pandershmëria ime më bëri të mjerë dhe i mbushi ditët e mia me mundim. Ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua. Fuqia ime avulloi si uji gjatë një dite vere derisa më në fund pranova gjithë mëkatin tim para teje dhe nuk e fsheha më paudhësinë time. Thashë me vete: "Do t`ia rrëfej shkeljet e mia Zotit", dhe ti më fale! I gjithë faji im u fal."
Kjo është përgjigja e duhur ndaj mëkatit. Ai nuk e mohoi mëkatin. Nuk u shqetësua për të. Ai e rrëfeu.
Rrëfimi i mëkatit dhe pendimi
Çfarë do të thotë të rrëfesh mëkatin dhe të pendohesh? Së pari, rrëfimi do të thotë të biesh dakord me Perëndinë. Ai e di tashmë që ju keni mëkatuar, kështu që mund të tregoheni të ndershëm! "Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë dhe do të falë fajet tona dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjonit 1:9) Rrëfimi do të thotë të pranosh hapur mëkatin dhe të pranosh qëndrimin e Perëndisë ndaj mëkatit tonë.
Rrëfim nuk do të thotë t'i përgjërohesh Perëndisë për falje. Krishti tashmë e ka paguar gjobën për të gjithë mëkatet tona, dhe falja e tij vjen automatikisht kur ne rrëfejmë i rrëfejmë ato. Arsyeja pse Perëndia na e jep këtë falje menjëherë, është vdekja e Krishtit në kryq, jo forca apo përulësia me të cilën rrëfeni mëkatet.
Pendesë do të thotë të ndryshosh veprimet e tua në lidhje me mëkatin tënd. Këtu përfshihet rënia dakord me Perëndinë që jeni gabim dhe që nuk do të vazhdoni të mëkatoni.
Por unë vazhdoj të ndihem fajtor!
Do të ketë raste kur vazhdoni të ndiheni fajtor edhe pasi keni rrëfyer mëkatet. Duket si diçka shpirtërore kur qortojmë veten për shkak të një mëkati kaq të tmerrshëm, dhe mendojmë se nëse ulim veten në sytë tanë, Perëndia do të kënaqet nga përulësia jonë.
Por nuk është kjo mënyra si na sheh Perëndia. Pjesë e rrëfimit është të falënderojmë Perëndinë që të gjithë mëkatet tona janë paguar nga Krishti. Perëndia ka thënë: "Unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre." (Hebrenjve 8:12) Falenderimi përfshin besim sepse tregon se po reagoni ndaj asaj që Fjala e Perëndisë thotë se është e vërtetë për ju dhe jo sipas mënyrës sesi ndiheni. Qortimi i vetes fokusohet te mëkati juaj në vend që të fokusohet te Krishti dhe falja e Tij.
Ndonjëherë e ngatërrojmë tundimin me mëkatin. Por mos harroni se kushdo tundohet. Edhe Jezusi i tundua…por Ai nuk iu dha tundimeve – Ai nuk mëkatoi. Nëse po ndiheni të tunduar mos e ndëshkoni veten. Mund të zgjidhni të mos ndaleni te mendimet tunduese por t'i kërkoni Perëndisë t'ju japë forcë për të shmangur mëkatin. Mos u ndieni fajtor për faktin që po tundoheni. Një varg i mirë që duhet mësuar për t'u përdorur në betejën kundër tundimit është 1 Korintasve 10:13.
Perëndia ju ka falur plotësisht për të gjitha gjërat që keni bërë. "Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu.” (Romakëve 8:1) Ai nuk e kthen vështrimin pas te mëkatet apo dështimet tuaja me ndëshkim, dhe as ju nuk duhet ta bëni. Përsëri Perëndia thotë: " Dhe nuk do t`i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre.” (Hebrenjve 10:17) Reja e fajit iku! Pranoni faljen e plotë të Perëndisë.
“Sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.” (Romakëve 8:2) Jeta e krishterë është një jetë lirie: lirie nga faji dhe liri për të jetuar sipas Perëndisë, që është jeta më e kënaqshme që mund të kemi. Është një proces rritjeje, për t'u bërë si Krishti dhe për ta reflektuar Atë në jetën tonë. Dhe rritja kërkon kohë!
(1) Charles Swindoll, Come Before Winter (Portland, OR: Multnomah Press, 1985), p.89.