Çfarë pret Perëndia nga unë?
Nëse jeni si shumë të krishterë të tjerë, ju dëshironi t'i pëlqeni Perëndisë me jetën tuaj. Por në të njëjtën kohë, sinqerisht, ju ndodh të lodheni nga përpjekjet për të jetuar jetën e krishterë. Ndonjëherë duket si shumë presion.
Kur isha ateist, mëkati s'ishte aspak problem për mua. Nuk mund ta dalloja një mëkat. Nuk përjetoja faj. Por kur u bëra i krishterë….uh. Zbulova se bëja shumë gjëra që Perëndia nuk dëshironte të ishin në jetën time. U ndërgjegjësova për nevojën për të dashur të tjerët, për të lexuar Biblën, për t'u lutur, për të dëshmuar, për të dishepullizuar të tjerët, etj. Ndonjëherë mendoja se ishte shumë më e lehtë të ishe ateist. Tani që e njihja Perëndinë, kisha një ndjenjë të madhe përgjegjësie se duhej ta kënaqja me jetën time. Lexoja Biblën, lexoja një urdhërim, dhe dukej se varg pas vargu mund të thoja "Ide e mirë. Duhet ta zbatoj më shumë këtë."
Fatmirësisht Perëndia më mësoi diçka nga Shkrimi që më çliroi plotësisht nga kjo ndjenjë e lartë përgjegjësie, nga ai mentalitet performance, në mënyrë që të mund të shihja përsëri Perëndinë dhe të shijoja marrëdhënien time me Të. Shkrimi përmban një parim kryesor i cili gjendet te letra drejtuar Romakëve, Galatasve, Efesianët, 1&2 Korintasve…kudo nëpër Shkrim.
Ja çfarë është: Perëndia nuk kërkon përsosmëri nga ju. Perëndia nuk pret që ju të jeni në lartësinë e duhur. Perëndia asnjëherë nuk ka menduar se ju jeni në gjendje të jetoni jetën e krishterë, dhe as nuk pret që ju të përmbushni standardet e Tij të shenjta. Nëse do të mendonte se ju mund ta bëni, atëherë s'do të kishte ardhur në tokë të vdiste për ju. Por në fakt Ai erdhi.
Jezusi u tha turmave: "Jini pra të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj që është në qiell." Është e vërtetë që ligjet e Perëndisë/urdhërimet e tij, kërkojnë përsosmëri. Dhe nëse Perëndia do të na pranonte në bazë të zbatimit të urdhërimeve të Tij, atëherë do të duhej të ishim të përsosur. Për këtë arsye Jezusi erdhi të na çlirojë nga paga e mëkatit!
Perëndia e njeh hendekun e madh midis përsosmërisë së Tij dhe mëkatit tonë. Edhe si të krishterë, ne shpesh ndjejmë një lloj tensioni për ta mbyllur këtë hendek, që të ndihemi më mirë dhe më afër Perëndisë. Disa përpiqen ta bëjnë duke ulur standardet e Perëndisë: "Perëndia nuk do të thotë vërtet…" Të tjerë mundohen ta mbyllin këtë hendek duke u përpjekur të përmirësojnë sjelljen e tyre: "Do të përpiqem më shumë…"
Çfarë thotë Perëndia për këtë hendek? Është aty dhe do të jetë gjithmonë. Por ju që keni besuar te Jezusi, që e keni pranuar në jetën tuaj, jeni falur, jeni shpallur të drejtë, të çmuar në sytë e tij, dhe jeni nën kujdesin e Tij. Ju jeni plotësisht të tij dhe ai ju do pa kushte, pavarësisht këtij hendeku.
“Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur.”1
Por mund të ndodhë që të gjendeni në një moment në jetë kur filloni të mendoni se me siguri Perëndia dëshiron diçka si shpërblim.
Qëllimi i këtij artikulli është të mos ju lejojë të bini në këtë grackë – ku ndiheni se duhet të silleni mirë për Perëndinë. Shkrimi na paralajmëron kundër këtij fenomeni, sepse do ju vjedhë gëzimin që vjen nga njohja e Perëndisë.
Le të shohim se çfarë thotë Perëndia për marrëdhënien tuaj me të. Të shohim rregullat bazë, çfarë thotë ai për marrëdhënien tonë me të.
Si u bëtë të krishterë
Shihni peshën e përgjegjësisë që mbarti Perëndia, kur ju u bëtë të krishterë, kundrejt përpjekjeve tuaja:
- Perëndia ju zgjodhi që para themelimit të botës dhe ju quajti bij të tij2
- Perëndia erdhi në tokë për ju3
- Perëndia vdiq personalisht për mëkatet tuaja4
- Perëndia siguroi që dikush t'ju shpjegonte ungjillin5
- Perëndia u ofrua që të vinte në jetën tuaj6
- Perëndia vuri në zemrat tuaja dëshirën për ta njohur dhe për t'iu përgjigjur atij7
- Ju e pranuat atë.
- Perëndia erdhi në jetën tuaj, ju shpalli të drejtë dhe të falur dhe ju quajti bij të tij8
Ju u bëtë të krishterë thjesht duke iu përgjigjur ofertës së Perëndisë me besim. Në të njëjtën mënyrë Ai dëshiron që ju të jetoni jetën e krishterë…duke pasur besim te Perëndia. Pesha e përgjegjësisë (dhe aftësia) mbetet tek Perëndia. Ju mund të mendoni: "Kjo duket e lehtë. Pse e bëjnë kaq të vështirë?" Problemi është se çdo i krishterë kapet në këtë grackë herët a vonë. Pse?
Është natyra njerëzore që na bën të mendojmë se i kemi borxh Perëndisë për atë që na ka dhënë. Është natyra njerëzore që na bën të mendojmë se tani që e njohim pak Biblën, tani që dimë disa gjëra rreth lutjes, apo tani që e kuptojmë se çfarë do të thotë t'u tregojmë të tjerëve për Perëndinë…tani është koha të marrim përgjegjësinë për të qenë "një i krishterë i mirë." Nuk ka gjë tjetër që do t'jua rrëmbente më shpejt gëzimin që sjell njohja e Perëndisë.
Edhe nëse ndodh që nuk arrini vet në konkluzionin e gabuar se duhet të bëni gjëra për Perëndinë, janë të krishterët e tjerë që fatkeqësisht arrijnë t'ju bëjnë të ndiheni fajtor, të ndjeni presionin dhe të krijoni pritjen se duhet t'i bindeni më mirë Perëndisë. Ky artikull do ju ndihmojë (shpresojmë) të kuptoni se çfarë thotë Shkrimi se si duhet jetuar jeta e krishterë pa ndjerë peshën e pritjeve të gabuara se duhet të bëni gjëra për Perëndinë. Do ju tregoj sa shumë ju do Perëndia dhe sa shumë do që ju të keni një marrëdhënie me të.
Perëndia nuk ka krijuar një marrëdhënie me ju si kusht për ju, përkundrazi ajo varet prej tij. Më lejoni të jap një ilustrim me vargjet e mëposhtme:
Si na pranon Perëndia?
Ju u shpallët të falur me anë të hirit (mirësisë) së tij, sepse Jezusi vdiq për ju. Ju morët faljen falas duke besuar se Jezusi pagoi për mëkatin tuaj, apo jo? Ju nuk e merituat faljen. Ju thjesht i besuat Perëndisë kur thotë se ju ka falur.
“…kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit, ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij.9 “në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurive së hirit të tij…”10
Mirë, por tani që jeni të krishterë, a ndryshojnë rregullat? A ka Perëndia një listë të gjatë pritjesh nga ju? Jo. Ju mund të mendoni: "Prit një minutë. Bibla është PLOT me urdhërime. S'ka paragraf ku nuk thuhet se çfarë duhet të bëni." E vërtetë. Por kur Perëndia jep një urdhërim, ju thotë gjithashtu që ju s'mund t'i bindeni plotësisht. Në fakt, ai ju thotë se sa më shumë të përpiqeni të zbatoni urdhërimet, aq më shumë do të shihni mëkatin tuaj.11 Sa më shumë të përpiqeni, aq më shumë do duket se po dështoni dhe se meritoni gjykim dhe ndëshkim nga Perëndia, dhe si rrjedhojë do të ndiheni gjithmonë e më të distancuar nga Ai. Apostulli Pal tregon se dhe ai është ndjerë në këtë mënyrë. Ai pa ligjin e Perëndisë dhe tha "Urdhërimi është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë." Por edhe pse përpiqej shumë të jetonte sipas ligjit, ai vazhdonte të mëkatonte. Pali tha: "Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s`dua, atë bëj.”12 I lodhur, ai thotë, “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” Cila ishte zgjidhja që gjeti? “I faleminderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë!”13
Ndjenja e dështimit, mëkatit, dënimit duhet përballur me Shkrimin. “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu.”14 “Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij!”15
Kur të shihni urdhërimet e Perëndisë, mos u përpiqni t'i zbatoni me forcat tuaja…por kërkojini Perëndisë, i cili jeton brenda jush, ta bëjë këtë gjë në ju. Nëse Perëndia na thotë të duam njëri-tjetrin, nuk po mendon se ju do të marshoni me përgjegjësi e entuziazëm duke i treguar Perëndisë sa të dashur mund të jeni. Ai do që ju të mbështeteni në të, "Perëndi, jeto në zemrën time dhe ndihmomë ta shoh këtë person ashtu si e sheh ti, dhe vendos dashuri në zemrën time për këtë person në të njëjtën mënyrë si ti e do. Nuk mund t'i dua vetë, por kërkoj që të sjellësh në jetën time dashurinë tënde të pamasë për ta.”
Ku është ndryshimi?
Është ndryshe të përpiqesh me forcat e tua të jetosh për Perëndinë dhe ndryshe të mbështetesh te Perëndia dhe të varesh prej tij që ai të jetojë nëpërmjet teje. Ne nuk rritemi për të qenë të pavarur nga Perëndia. Ne rritemi vetëm duke qëndruar në të dhe duke u mbështetur te Ai, dhe kjo është ajo çfarë Perëndia do. Ai nuk pret që ju të bëni gjëra që t'i pëlqeni Atij.
Bibla i referohet urdhërimeve të Perëndisë si "ligji". Tani që jeni të krishterë nuk jeni më nën ligj apo nën gjykimin dhe dënimin e Perëndisë – përkundrazi, ju keni marrë faljen dhe jetën e përjetshme. Jeni çliruar nga kërkesat e ligjit.
Pali tha: "duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.”16
Sa shumë fokusohet Pali te urdhërimet e Perëndisë dhe te përpjekjet për t'i zbatuar ato? “…vdiqa për ligjin, që unë të rroj për Perëndinë.… u kryqëzova bashkë me Krishtin…Krishti rron në mua. Dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua. Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot!”17
Përpara se të pranonit Jezusin, ju ishit të ndarë nga Perëndia; ishit në gjendje vetëm që të njihnit urdhërimet e Perëndisë dhe ishit nën gjykimin e tij. Por tani ju njihni Krishtin dhe Fryma e tij jeton në ju.
Perëndia thotë, “Unë do t`i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t`i shkruaj në zemrat e tyre.” Dhe në të njëjtin vend thotë, “Dhe nuk do t`i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre.”18 Kështu që në vend që ligji të jetë jashtë jush, duke ju qëndruar mbi kokë me kërkesat e veta, Perëndia e ka vendosur ligjin e tij në zemrën tuaj, dhe ndërsa Fryma e Shenjtë ju ndryshon, ju jep edhe dëshirën për të bërë atë që i pëlqen Perëndisë. Me kalimin e kohës, ndërsa rriteni në marrëdhënien tuaj me Perëndinë, ai do të vazhdojë të nxisë në ju dëshirën dhe aftësinë për të jetuar një jetë të shenjtë para tij.
“Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.”19
Perëndia ka një plan për jetën tuaj – ta përdorë jetën tuaj për të ndihmuar të tjerët dhe për lavdinë e tij. Ju tashmë keni një marrëdhënie me Perëndinë që jeton në ju dhe bën një punë të mirë në ju.
Çfarë bëjmë me mëkatin?
Po ju bëj një pyetje. Ç'ndodh kur i kërkoni Perëndisë të prodhojë diçka në jetën tuaj ose t'ju çlirojë nga një mëkat i caktuar, por ju ende vazhdoni të luftoni me këtë? Ç'ndodh kur ju vazhdoni të keni një temperament jo të mirë, apo kur vazhdoni të mos i rezistoni tundimit, apo nuk arrini të luteni a të lexoni Biblën aq shumë sa do të donit? Ç'ndodh në këtë rast? Është kjo koha kur merrni përgjegjësinë e plotë për të jetuar jetën e krishterë dhe përpiqeni me sa mundeni? Jo. Në çastin që do të filloni të bëni gjëra për t'i pëlqyer Perëndisë, aq më shumë do të shihni se dështoni, aq më shumë do të distancoheni nga Ai dhe aq më pak gëzim do të keni që e njihni Perëndinë.
Një i krishterë të mendojë lehtësisht se Perëndia shpërblen përpjekjet, sepse kështu është krijuar shoqëria jonë…të jemi të përgjegjshëm, të punojmë shumë, të bëjmë sa mundemi…dhe do të shpërblehemi. Një i krishterë mund të shohë urdhërimet në Bibël dhe të mendojë "Po. Nëse përpiqem shumë, mund ta zbatoj." Dhe kjo sjell mundim sepse Bibla thotë që fokusimi te ligji sjell vetëm një gjë…dijeni për mëkatin tuaj. Perëndia nuk e ka krijuar marrëdhënien e Tij me ju në formë përpjekjesh dhe shpërblimi. Marrëdhënia e Perëndisë me ju ka për qëllim që ju të besoni se Ai do të prodhojë në jetët tuaja atë çfarë i pëlqen atij.
Për sa kohë jetoni në tokë, do të mëkatoni. Asnjëherë s'keni për të qenë të përsosur në këtë jetë. Dhe këtë e dini jo vetëm ju por edhe Perëndia. Kur shihni një mëkat në jetën tuaj rrëfejeni, dhe besoni atë çfarë Perëndia ju ka premtuar:
“Po t`i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.”20
Jini të duruar ndërsa lejoni Perëndinë t'ju ndryshojë
Përqendrohuni te njohja e Perëndisë. Kërkoni të njihni Perëndinë më mirë nëpërmjet lutjes, leximit të Biblës, miqësisë dhe mësimit bashkë me të krishterë të tjerë…të gjitha këto janë të mira. Por besimi nuk duhet të mbështetet te përpjekjet tuaja, por te aftësia e Perëndisë për të punuar në jetën tuaj. Jezusi tha se ju jeni si shermendi dhe hardhia. Jezusi është hardhia kryesore dhe ne jemi si degët: "Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.”21
Jezusi tha: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.”22
Po kur Jezusi tha “bindu urdhërimeve të mia”?
Mënyra më e mirë për të jetuar e për të përjetuar jetën me bollëk për të cilën foli Jezusi, si dhe për t'u bindur më lehtë për dashurinë e tij për ju, është duke bërë atë çfarë ai thotë. Jezusi tha “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”23 Ai dëshiron që ju të jetoni sipas asaj që ai thotë se është e drejtë, dhe të përjetoni dashurinë e tij dhe të keni gëzim si të krishterë. Por mënyra si i bindeni urdhërimeve të tij është duke u mbështetur tek Ai për zbatimin e tyre.
Kështu që kur shoh një varg në Bibël ku Perëndia thotë, “Bëj këtë….”, unë i them menjëherë Perëndisë: "Ide e mirë. Unë dua që jeta ime të të kënaq ty dhe të lutem ta bësh jetën time të tillë nëpërmjet Frymës tënde. Më jep aftësinë që të të bindem në këtë mënyrë. Perëndi, nëse mendoj se do ia dal vet do të thotë se po i hyj një rruge pa krye. Të lutem të ndryshosh mënyrën e të menduarit tim ose të punosh në jetën time – çfarëdo që nevojitet – në mënyrë që të jetoj sipas këtij vargu." Dhe pastaj nuk shqetësohem më për këtë. Mund ta shkruaj vargun dhe ta mësoj, të mendoj rreth tij, ose edhe ta mësoj përmendësh. Por për ta zbatuar duhet t'i besoj Perëndisë.
Ai ju ka çliruar nga kërkesat e ligjit dhe ju fton të pushoni në të, të mbështeteni te ai…ku mund të shijoni plotësisht gëzimin që vjen nga njohja e Perëndisë.
“Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t`i japim fryte Perëndisë.”24
“Por tani jemi zgjidhur nga ligji….prandaj shërbejmë në risinë e frymës.…”25
“Sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.”26
“Ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.…”27
(1) Romakëve 5:1,2 (2) Efesianët 1:4; 2 Timoteut 1:9 (3) Gjoni 3:16 (4) Romakëve 5:8 (5) Efesianët 1:13 (6) Zbulesa 3:20; Gjoni 1:12,13 (7) Zbulesa 3:20 (8) I Gjonit 3:1; Kolosianëve 1:13,14; Efesianët 1:4; Gjoni 1:12 (9) Titi 3:3-7 (10) Efesianët 1:7 (11) Romakëve 3:20 (12) Romakëve 7:18,19 (13) Romakëve 7:24,25 (14) Romakëve 8:1 (15) Romakëve 5:8-10 (16) Galatasve 2:16 (17) Galatasve 2:19-21 (18) Hebrenjve 10:16,17 (19) Efesianët 2:8,9 (20) 1 Gjonit 1:9 (21) Gjoni 15:4 (22) Gjoni 15:9 (23) Gjoni 15:10,11 (24) Romakëve 7:4 (25) Romakëve 7:6 (26) Romakëve 10:4 (27) Romakëve 4:5