Si na ndryshon Perëndia
Herë pas here të gjithë shohim se ka fusha në jetën tonë ku hasim vështirësi; fusha në të cilat do të donim të ishim ndryshe. Mund të jenë dështime morale ose zakone që na dekurajojnë. Si do Perëndia që t'i trajtojmë këto fusha? A ka ndonjë rrugë si mund të gjejmë liri dhe ndryshim të vërtetë? Po. Ajo çfarë kam kuptuar në lidhje me hirin e Perëndisë ka sjellë ndryshim rrënjësor në jetën time. Dhe besoj se mund të sjellë një ndryshim të dukshëm edhe në jetën tuaj.
Çfarë mendoni kur dëgjoni fjalën hir? Unë mendoj se përkufizimi më i mirë që kam gjetur është ai nga shkrimtari Joseph Cooke i cili ka shkruar 'Hiri nuk është as më shumë e as më pak sesa fytyra që vesh dashuria kur përballet me papërsosmërinë, dobësinë, dështimin, mëkatin.”1
Çfarë është hiri?
Është ajo cilësi në zemrën e Perëndisë që e bën Atë të mos na trajtojë siç e meritojmë për shkak të mëkateve tona, apo të hakmerret ndaj nesh sipas mëkatit tonë. Është besnikëria e Perëndisë ndaj nesh edhe kur ne nuk jemi besnik. Në fakt, është ashtu siç duhet të jetë dashuria kur përballet me antipatikët, me të dobëtit, të papërshtatshmit, të pamerituarit dhe të përbuzurit. Perëndia dëshiron të reagojë ndaj nevojës pa iu referuar meritës. Është një favor i pamerituar.
Hiri i Perëndisë derdh dashuri, mirësi, favor tek të gjithë ata që do t'i besojnë Atij. Nuk duhet ta meritoni. Mjafton të jeni në një marrëdhënie me Perëndinë për të përftuar hirin e Tij.
Ne kemi më shumë nevojë për hirin e Perëndisë kur vëmë re aspekte të jetës sonë që e dimë se janë gabim – për shembull: vendime jo të mira, zakone, sjellje që na turpëron, fusha ku duam që Perëndia të na ndryshojë, por ku kemi frikë se Ai do të na ndëshkojë. Nëse kemi pranuar Krishtin në zemrat tona, jemi shpallur se i përkasim Atij, jemi falur dhe jemi nën hirin e Tij. Hiri i Tij na çliron dhe na ndryshon. Për këtë arsye është e rëndësishme të dimë çfarë thotë Shkrimi për hirin e Perëndisë.
Të gjithë e dimë që kemi brenda nesh një pjesë të mirë dhe një pjesë të keqe. Kemi një pjesë që duam që bota ta shohë – kur shfaqim sjelljen tonë më të mirë. Por ka dhe një pjesë që preferojmë ta fshehim – gjëra për të cilat na vjen turp.
Ne jetojmë në një kulturë të orientuar ndaj vetë-përmirësimit. Kalojmë shumë kohë dhe energji duke analizuar veten dhe duke u përpjekur të gjejmë si mund ta përmirësojmë anën e keqe. Ne dalim për pazar, shkojmë në palestër ku harxhojmë kohë, energji dhe para për të përmirësuar atë që e konsiderojmë si pjesë të keqe. Ndërsa atë pjesë që s'mund ta përmirësojmë, ose që s'e kemi përmirësuar akoma, përpiqemi ta fshehim.
Fshihemi pas turpit
Jeni ndodhur ndonjëherë në një situatë të tillë kur jeni njohur me një person dhe thellë brenda vetes keni thënë "Shpresoj të mos e zbulojë këtë gjë rreth meje?" Ose i keni thënë një miku të ngushtë "Të lutem mos i trego njeriu për këtë." Kur krijojmë një marrëdhënie me Perëndinë, mund të mendojmë se Ai është si ne. Mendojmë se duhet ta fshehim pjesën tonë të keqe nga Ai. Megjithatë, nëse përpiqemi të fshehim pjesë të papranueshme të personalitetit tonë mund të humbasim lidhjen me veten tonë të vërtetë, dhe kështu humbasim lidhjen me Perëndinë.
Perëndia nuk është si ne. Rrugët e Tij nuk janë rrugët tona. Ai nuk pranon pjesën tonë të mirë dhe refuzon pjesën e keqe. Ai na sheh si një person i plotë. Nuk na sheh si një personalitet i ndarë. Ai thotë: "Mos u përpiq të përmirësosh pjesën tënde të keqe. Nuk ke për t'ia dal vetëm. Nuk ka rëndësi sa shumë përmirësohesh, asnjëherë nuk do të jetë mjaftueshëm e mirë, sepse unë jam i përsosur. Më jep edhe pjesën tënde të mirë edhe të keqen dhe më lejo të të bëj të plotë."
Si mund ta përjetojmë hirin e Perëndisë?
Vështirë të kuptohet hiri pa kuptuar ligjin. Shohim ligjin e përsosur të Perëndisë, urdhërimet e tij, mënyrën si Ai do që ne të jetojmë…dhe, të themi të vërtetën, shpesh herë nuk jemi në lartësinë e duhur. Çfarë bëjmë ne me ligjin, me urdhërimet e Perëndisë? Ligji është si një pasqyrë ku ne shohim veten. Ndonjëherë mund të shohim një njollë të madhe pluhuri mbi fytyrë që s'e kishim vënë re më parë. Pasqyra nuk e pastron pluhurin, por ne ndjehemi të lehtësuar që u pamë në pasqyrë përpara se të dilnim nga shtëpia. Në të njëjtën mënyrë, ligji i Perëndisë zbulon të metat tona, mëkatet tona, dhe na vjen mirë që mund t'i shohim, sepse kështu mund t'i sjellim përpara Perëndisë dhe Perëndia të na falë nëpërmjet hirit. Galatasve 3:24 thotë, “Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.” Kur vijmë te Krishti e dimë që kemi nevojë për një shpëtimtar. Në fakt, ne do të kemi gjithmonë nevojë për një shpëtimtar, gjatë gjithë jetës sonë.
Hebrenjve 4:13-16 thotë: “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t`i japim llogari. Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t`i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t`i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.”
Ejani me vërtetësi dhe përulësi
Ne mund të përjetojmë hirin kur vijmë para fronit të hirit, me vërtetësi dhe përulësi. E kundërta e të ardhurit para fronit me vërtetësi është kur përpiqemi të fshihemi dhe të mos dalim në dritë. Do tregohem e sinqertë dhe do ndaj një fushë të jetës sime që duhej ta çoja para Zotit, para fronit të hirit të tij. Ushqimi ka qenë një fushë e vështirë për mua pothuajse gjatë gjithë jetës sime. Nuk mbaj mend të kem qenë e shëndoshë si fëmijë, por mbaj mend kur isha në vit të parë gjimnaz që miqtë e mi (të cilët peshonin më pak se unë) ankoheshin se ishin të shëndoshë. Ndërsa unë mendoja: "Nëse ata që peshojnë më pak se unë mendojnë se janë të shëndoshë, atëherë unë duhet të jem vërtet e shëndoshë!" Mendoj se në atë kohë peshoja rreth 53 kg. Ishte koha kur ushqimi u shndërrua në problem për mua. Mendoja për gjërat që s'duhej t'i haja, dhe kjo më bënte edhe më shumë të uritur.
Mamaja ime më thoshte: "Mendoj se do dukeshe më mirë nëse nuk e ha këtë. Pse nuk bie pak nga pesha?" Madje më dërgoi edhe te dietologu.
Kur shkova në universitet, duke ditur që disa ushqime s'duhej t'i haja, merrja ushqim fshehurazi. Fshihja çokollata Hershey në sirtar. Një herë madje fsheha një kek të tërë nën krevat. Dhe nëse dikush më thoshte që s'duhej ta haja diçka, unë ndihesha sikur doja të haja 10 të tilla. Afër universitetit ishin dy vende ku shiteshin hamburger. Mbaj mend që shkoja te njëri prej tyre dhe porosisja cheeseburger, patate të skuqura dhe coca cola. Pastaj merrja makinën dhe shkoja te vendi tjetër ku porosisja një tjetër cheeseburger, patate të skuqura dhe pije (milk shake). Më vinte turp të porositja aq shumë ushqim në të njëjtin vend, kështu që shkoja te dy të ndryshëm njëri pas tjetrit. Kur s'më dilte koha, shkoja te njëri nga këto restorante dhe porosisja: "Dua një cheeseburger, patate të skuqura dhe coca cola. Çfarë donte shoqja ime?! Ah po. Një hamburger, patate të skuqura dhe coca cola." Hiqesha sikur po porosisja për dy persona. Pastaj dilja dhe i haja të gjitha, por fshehurazi dhe duke gënjyer.
Çlirimi nga fshehja
Kur besova Krishtin, ai më pranoi siç isha dhe me kalimin e viteve ka filluar shërimi nga situata ime me ushqimin. Në atë kohë haja si e çmendur, por gjatë viteve Zoti ka larguar pjesën më të madhe të këtij fiksimi.
Megjithatë, herë pas herë më duhet të luftoj përsëri, sidomos me mendimet. Për shembull, e dija që do të flisja në një konferencë të madhe për beqarët në Keystone, Kolorado, dhe mendova: "Duhet të bie nga pesha para se të shkoj në Keystone.” U përpoqa por nuk ia dola, kështu që mendova: "Do të filloj të hënën tjetër." Koha po afrohej dhe unë, dy javë para se të shkoja në konferencë, doja të bija rreth 4.5 kg. Sa më shumë përpiqesha aq më pak ia dilja mbanë. Fola me një shoqe të ngushtë "Kay nuk ndihem mirë me peshën time. S'po shkon mirë. Dua të bie rreth 4.5 kg para se të shkoj në Keystone.” I tregova sa peshoja. Ajo më pa dhe tha "Ney, mendon se do të pëlqejnë më shumë në konferencë po të biesh nga pesha?" Unë gati sa s'u mbyta, dhe u përgjigja "Në fakt, një pjesë e imja e mendon vërtet këtë." Ajo u përgjigj "Ney, unë të dua kështu si je. S'më intereson sa shumë peshon." Unë fillova të qaja. Shoqja ime Kay u tregua e hirshme me mua ndërsa unë përula veten para saj dhe i tregova të vërtetën. Dhe e dini çfarë? Gjeta një motiv të ri të brendshëm dhe kështu rashë pak nga pesha.
Atë që s'e bëri dot ligji, e realizoi hiri. Hebrenjve 13:9, thotë, “Është mirë që zemra juaj të forcohet me anë të hirit.” Perëndia do të bëjë të njëjtën gjë për ne nëse shkojmë para tij me sinqeritet.
Shikoni Lukën 18:9-14, ku Jezusi tregon këtë shëmbëlltyrë: “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t`u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam". Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t`i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit". Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”
Ejani me sinqeritet dhe besim
Nëse refuzojmë të përulim veten dhe të marrim hirin e tij, atëherë nuk mund të kemi një marrëdhënie. Ndërsa shkojmë para Zotit dhe i tregojmë se po dështojmë në një fushë të caktuar, Ai do të plotësojë këtë nevojë me hirin e tij. Perëndia nuk po kërkon që ne të ndryshojmë veten. Ai kërkon që ne të shkojmë para tij me sinqeritet dhe besim dhe të hedhim të gjithë shqetësimet tona mbi Të (1 Pjetrit 5:5-7)
Njerëzit më të shëndetshëm janë ata që janë të ndërgjegjshëm për fushat ku dështojnë, dhe që në vend të gjejnë justifikime ata janë në gjendje të thonë "Zot, ki mëshirë për mua mëkatarin."
Farisenjtë përpiqeshin të ishin të shenjtë, të zbatonin ligjin, por me motivin për t'u bërë përshtypje të tjerëve. Jezusi i quajti "varre të zbardhura (me gëlqere)". Ata dukeshin mirë nga ana e jashtme, por ishin të vdekur nga brenda dhe me zemra të hidhëruara kundrejt Jezusit. Për shembull, ata arrinin deri në ekstrem në zbatimin e ligjit "për të mos punuar ditën e Sabatit." Kur Jezusi u tregua i dhembshur dhe shëroi një person ditën e Sabatit, ata e kritikuan.
Ndonjëherë është më e lehtë për ne të kemi marrëdhënie me ligjin sesa me Zotin. Satani preferon që ne të fokusohemi te ligji (Urdhërimet e Perëndisë) sesa te Zoti.
A duam të përjetojmë hirin e Perëndisë? Duhet të shkojmë para tij me vërtetësi dhe përulësi. Jakobi 4:6 thotë, “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve.”
Para disa vitesh një vajzë e re erdhi të më takonte në fund të një seminari. Me një fytyrë të zymtë dukej sikur mbante një peshë të rëndë mbi supe dhe sikur të ishte e dënuar. Ndërsa filluam të flisnim vura re që kishte pranuar Krishtin në jetën e saj por kishte një ves për të cilin i vinte shumë turp. Ishte përpjekur të çlirohej nga ky ves, por pa rezultat. S'mund ta ndalonte. Pavarësisht zotimeve që merrte dhe përpjekjeve, nuk i jepte dot fund. Dhe sa herë që ndodhte kjo gjë, ajo ndihej e pashpresë dhe e dënuar. I shpjegova që Satani do që ne të mëkatojmë kështu që ai të mund të na bëjë të ndihemi të ndëshkuar. E pyeta nëse e kishte sjellë ndonjëherë para Zotit këtë gjë. Ajo tha jo. I vinte aq shumë turp sa nuk e kishte çuar ndonjëherë si çështje para Zotit.
Unë u përgjigja: "Kur të ndodhë përsëri, në vend që të izolohesh duke u ndjerë e dënuar, dua që ta përdorësh mëkatin tënd për t'i kujtuar vetes dashurinë e Perëndisë." I thashë që herën tjetër kur të ndodhte, duhet ta sillte këtë gjë në dritë, me fjalë pak a shumë të tilla si "Zot faleminderit që të përkas ty. Zot, faleminderit që më do. Zot, gjaku i Jezu Krishtit më pastron nga çdo mëkat. Zot, e pranoj mëkatin tim, por s'arrij të çlirohem prej tij nëse Ti nuk më jep forcë. Zot, vendos vullnetin tim, veten time, në anën tënde dhe të Fjalës tënde. Të lutem bëj në mua dhe nëpërmjet meje, me anë të Frymës Tënde, atë që unë s'mund ta bëj vetë."
U luta bashkë me të dhe falënderuam Perëndinë për hirin dhe paqen e tij. Ishte e dukshme që ajo dëshironte të pendohej dhe të çlirohej nga ky mëkat, dhe e bëri. Disa muaj më pas më dërgoi një letër, sepse i kisha kërkuar që të më shkruante për të më treguar si ishte. Në letër shkruante se kishte vepruar sipas porosisë sime "Ney, jam habitur sesi gjatë këtyre muajve çdo gjë që më shqetësonte është venitur dukshëm në krahasim me të kaluarën." Ajo kishte qenë e mbërthyer nga mëkati dhe jashtë zonës së hirit. Por kur e përuli veten para Zotit dhe para meje dhe e solli mëkatin në dritën e hirit të Perëndisë, Ai u takua me të.
Besoje nëse do që ta marrësh
Hebrenjve 4:13 thotë, “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t`i japim llogari.” Romakëve 5:20 thotë, “aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt.” Hiri i Perëndisë është aty, por ne duhet ta besojmë në mënyrë që ta marrim. Duhet t'i besojmë Fjalës së Perëndisë që hiri i tij është aty, në mënyrë që të jemi në gjendje ta marrim. Dikush ka thënë se duhet të plotësohet një kusht i pashmangshëm nëse duam që hiri të ndryshojë një person – kushti është që të besohet në hirin e Perëndisë. Duhet t'i përgjigjemi Perëndisë me besim. Kështu Ai do të veprojë.
Nëse mund ta di që Perëndia është plotësisht i besueshëm, nëse mund ta di që dashuria e tij është plotësisht e vërtetë, që mirësia e tij është plotësisht e sinqertë, që ai do vërtet që unë të kem jetë me bollëk, atëherë Ai do të bëjë atë që ka për natyrë. Do të vijë të më gjejë thellë aty ku unë jetoj vërtet. Hiri i tij mund të më transformojë. Hiri i tij mund të prekë edhe forcën shtytëse që gjendet diku aty thellë në zemrën time dhe mund të më shndërrojë në një person të ri. Kjo është ajo që Perëndia dëshiron të bëjë për ne. Ai thotë, “unë do t`i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t`i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.” (Hebrenjve 8:10) Perëndia, me anë të hirit të tij, do të bëjë në ne atë që ligji i jashtëm nuk mund ta bëjë kurrë.
2 Korintasve 3:18 thotë, “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.” Transformimi është proces. Kur ne i besojmë Perëndisë dhe Fjalës së tij, Ai mund të transformojë zemrat dhe mendjet tona. Por duhet të kuptojmë që ky ndryshim nuk ndodh menjëherë. Është një proces.
Lewis Sperry Chaffer ka shkruar një libër shumë gjithëpërfshirës mbi hirin, dhe thotë se "Dëshmia e jashtëzakonshme e Fjalës së Perëndisë është që çdo aspekt i shpëtimit, çdo bekim nga hiri hyjnor, në kohë dhe përjetësi, kushtëzohet vetëm nga sa besojmë."
Perëndia na transformon me anë të hirit të tij
Si e përjetojmë hirin e Perëndisë? Ne vijmë përpara Zotit në dobësitë tona, në paaftësinë tonë, në mëkatin tonë dhe në dështimet tona. Ne zgjedhim të besojmë dashurinë dhe aftësinë e Tij për të na ndryshuar, ndërsa pushojmë në hirin e Tij. Si rezultat, ne rritemi.
2 Pjetrit 3:18 thotë, “Ne rritemi në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.”
Në historinë e djalit plëngprishës te Luka 15, djali plëngprishës u largua nga shtëpia, harxhoi pasurinë e të atit, duke kuptuar më në fund nevojën e vet dhe mirësinë e mundshme të të atit (vargu 17) “Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria? Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t`i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu.” Ai uli veten dhe shkoi drejt atit. Ishte i sinqertë kur u kthye. Por e dini çfarë? Kjo gjë s'i pëlqeu aspak vëllait të madh. Vëllai i madh i cili kritikoi të atin për hirin e treguar ndaj djalit të vogël përfaqëson legalizmin. Sipas vëllait të madh, vëllai i vogël nuk iu përmbajt ligjeve dhe nuk meriton hirin e atit. Por ati e donte djalin plëngprishës, pavarësisht gjithçkaje.
Një marrëdhënie me Perëndinë është më e fuqishme se ligji. Satani preferon që ne të jemi të lidhur me ligjin, të jemi legalist, që të ndihemi gjithë kohën fajtor dhe të dënuar. Por Zoti thotë te Romakëve 8:1, “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu.” Nën hir ne kemi shumë më shumë se vetëm burimet tona. Kemi Frymën e Shenjtë të Perëndisë që na mundëson të bëjmë vullnetin e Tij. Jeta e mbushur me Frymën e Shenjtë është një jetë ku çdo moment kuptojmë hirin e Tij. Jeta e mbushur me Frymën e Shenjtë do të thotë të pranosh dështimet dhe t'ia dorëzosh Perëndisë. Do të thotë të marrësh përgjegjësi për mëkatin dhe t'i kërkosh Perëndisë të të ndryshojë në mënyrë që të rritesh.
Jezusi vdiq në kryq për mëkatet tona, për të këqijat tona. Ne ishim fajtor dhe ai pagoi për këtë faj. Kur rrëfejmë mëkatet tona, do të thotë që po merremi me atë çfarë është gabim dhe për çfarë kryqi ka paguar tashmë. Të jesh një burrë apo grua e perëndishme do të thotë të përulësh veten dhe të tregohesh i sinqertë për mëkatin, dhe të pranosh hirin e Tij e të rritesh.
John Powell ka thënë, “Ne mendojmë se duhet të ndryshojmë, të rritemi dhe të bëhemi të mirë që të tjerët të na duan. Por në fakt, neve na është dhënë dashuria dhe hiri i Tij që të ndryshojmë, të rritemi dhe të bëhemi të mirë."
I vetmi kufizim ndaj shërimit në jetët tona është shkalla e zbulimit të vetes – sa shumë e zbulojmë veten. Për t'u rritur ne duhet t'i përkushtohemi të vërtetës. Hiri i Perëndisë na jep lirinë për t'u përballur me Perëndinë dhe me të vërtetën tonë në dritën e Fjalës së Perëndisë. Duke ditur se Ai na do dhe na ka pranuar plotësisht, Perëndia na thërret që të shkojmë tek Ai me çdo gjë që kemi, në mënyrë që Ai të na ndihmojë të përjetojmë lirinë (Gjoni 8:32) dhe të kemi një jetë me bollëk (Gjoni 10:10).
Nuk ka më dënim
Më kujtohet një vajzë e re e cila kërkoi këshillim. Sipas përshkrimit të saj, ndiente një ngërç në stomak, e kishte mbytur faji dhe s'mund të flinte gjumë. Ishte plot ndëshkim ndaj vetes dhe ndiente një frikë e poshtërim të madh. Ndihej në këtë mënyrë sepse ishte përfshirë në imoralitet. E dinte që Fjala e Perëndisë thotë se nuk duhej të përfshihej në mënyrë të tillë. Por ajo kishte ngecur në këtë grackë e kishte frikë të fliste me dikë sepse mund ta refuzonin. Më tregoi tërë historinë duke mbajtur kokën poshtë. Më tregoi çdo detaj sepse kishte nevojë për ndihmë. Ishte penduar sinqerisht për mëkatin e saj. E brente ndërgjegjja. Pastaj ia rrëfeu mëkatin e saj Zotit në praninë time dhe përjetoi faljen dhe hirin e Tij. Më vonë më tregoi se kur erdhi tek unë ndodhej në një burg emocional. Por në vend të refuzimit ajo gjeti dashuri dhe pranim.
Disa muaj më vonë mora një letër ku thuhej: "Zinxhirët e mi u këputën, dera e birucës u hap, dhe u ndjeva sikur u lirova nga një barrë shumë e rëndë. Përjetova liri dhe freski. Kur isha në praninë tënde nuk bëra asgjë. Por ajo çfarë bëre ti, dhe kush ti ishe ndikuan tek unë. Ti më tregove dashurinë e Tij, pranim dhe falje." Në atë kohë i kisha kërkuar që ta mbaja të përgjegjshme dhe ajo më tha më vonë se ajo përgjegjshmëri ndaj meje nuk i ishte dukur asnjëherë si barrë. Përkundrazi, ishte ndjerë e sigurt sepse po i përgjigjej personit që i kishte treguar hir. Ajo kërkoi më shumë ndihmë dhe arriti të kuptonte nevojat e saj. Tha se hiri nuk ishte më një çështje teologjike kur filloi ta përjetonte.
Ligji që është i mirë, i shenjtë dhe i përsosur ia kishte zbuluar mëkatin e saj si një pasqyrë. Ajo përuli veten. Rrëfeu. I tregoi të vërtetën vetes, mua, Zotit. Dhe për shkak të kësaj ajo mori hir në kohë nevoje. Fakti që e nxori mëkatin në dritë dhe para Zotit me përulësi dhe sinqeritet e mundësoi të merrte hir nga Perëndia dhe të çlirohej e të rritej në Të.
Mendoni për një fushë ose disa fusha ku ndiheni të ndëshkuar apo keni frikë nga refuzimi…ku nuk mendoni se jeni të përsosur. Ne duhet të vijmë para Tij me përulësi dhe sinqeritet për çdo fushë ku po shkelim ligjin e Perëndisë. Nuk ka nevojë të fshihemi. Nuk ka nevojë të gënjejmë. Nuk ka nevojë të ndihemi të ndëshkuar.
“Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin … Perëndia e bëri duke dërguar birin e vet… që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.” (Romakëve 8:1-4)
“Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve. Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t`ju lartësojë ne kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju." (1Pjetrit 5:5-7)
“Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?….Krishti është ai….që ndërmjetëson për ne. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?…Sepse unë jam i bindur se as vdekja… as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 8:31-39)
(1) Free For The Taking -- The Life-Changing Power of Grace nga Joseph R. Cooke (jashtë shtypjes)
Ekstrakt nga një libër që do të botohet nga WaterBrook Press. Copyright © 2004 nga Ney Bailey. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Asnjë pjesë e këtij materiali nuk mund të ribotohet apo të transmetohet në asnjë lloj forme, pa marrë leje me shkrim. Ky artikull mund të ndahet me një individ tjetër nëse shoqërohet nga ky njoftim për të drejtën e autorit.
Ney Bailey është autori i Faith Is Not a Feeling. WaterBrook Press.
Lexime të tjera:
Changes That Heal, Dr. Henry Cloud. Zondervan