A mund të humbasë një i krishterë shpëtimin?
Kjo është pyetje e vështirë dhe mund të shkruhen (e në fakt janë shkruar) libra për këtë temë. Por unë po ju jap një përgjigje të shkurtër. Së pari po komentoj për disa gjëra.
Bibla na mëson qartë që Perëndia është gjyqtari, jo ne. Zakonisht kur dikush bën këtë pyetje ka në mend një person tjetër, jo veten. Por unë po ju them atë çfarë thotë Shkrimi, se nuk na takon neve të gjykojmë apo dënojmë dikë tjetër. Perëndia njeh çdo gjë në lidhje me zemrën e tyre, sinqeritetin e tyre – nëse vërtet e kanë pranuar Perëndinë apo jo – shenjtërinë e tyre dhe kohën e duhur, planin e tij për jetën e tyre.
Së dyti, ka shumë ndryshim midis stilit të jetesës në dukje të krishterëve dhe nga si rriten në marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Unë isha shumë e dashuruar me Perëndinë që nga momenti që besova në Të, por kjo ndodhi disa vjet para se Perëndia të rregullonte pjesë të sjelljes sime. Kështu që të krishterëve të tjerë që nuk më njihnin, unë "mund" t'u dukesha si jo e krishterë e vërtet. Perëndia na shenjtëron, na ndryshon në kohën e vet, kështu që nuk është mirë që një i krishterë të vërë në pikëpyetje sigurinë e vet të përjetshme në bazë të sjelljes që neve na duket se nuk është sipas standardeve të jetës së krishterë.
Për sa i përket humbjes së shpëtimit: Shpëtimi na është ofruar vetëm nëpërmjet vdekjes së Krishtit në kryq, si dhuratë e hirit të tij. Ne bëhemi fëmijët e tij që në çastin që e pranojmë, nëpërmjet Jezusit, dhe shpallemi të drejtë, të falur, të shenjtëruar në sytë e Tij, dhe fillojmë një marrëdhënie me Të, që Ai ka për qëllim të jetë e përjetshme, me anë të premtimit për jetë të përjetshme. Kjo nuk varet nga niveli ynë i shenjtërisë apo besimit, apo nga sakrificat apo veprat tona të mira e fetare. Shpëtimi nëpërmjet Jezusit është thjesht dhuratë e Perëndisë, e marrë vetëm nëpërmjet besimit. Në atë çast ne kalojmë nga vdekja në jetë, të lirë nga dënimi i ligjit dhe nën hirin e Tij, transferohemi nga mbretëria e errësirës, jo më armiq të Perëndisë por fëmijë të Tij, të vulosur me Frymën e Shenjtë brenda nesh, Ai është bërë Perëndia ynë dhe ne fëmijët e Tij, dhe kemi paqe me Perëndinë, jemi pajtuar me Të.
Sa më sipër bazohet në këto vargje:
- Romakëve 5:8
- Romakëve 5:1
- Romakëve 6:22,23
- Romakëve 10:8-10
- Hebrenjve 9:15
- Hebrenjve 8:10-12
- Romakëve 4:13
- Romakëve 3:20-24
- Romakëve 10:4
- Gjoni 10:26-28
- Efesianët 1:5-8
- Efesianët 1:13,14
- Gjoni 5:24
- 1 Gjonit 5:11-13
Dikush mund të pyesë…"po sikur të mos pendohen për mëkatet e tyre?" Përsëri, nuk jemi ne gjyqtari. Ata mund të kundërshtojnë punën e Perëndisë në jetët e tyre, mund të kundërshtojnë nxitjen e Frymës së Shenjtë, por nuk mendoj se kjo do të vinte në domosdoshmërish në pikëpyetje sigurinë e tyre të përjetshme. Perëndia është shumë i duruar dhe na lejon të gjithë neve që t'i rezistojmë nxitjes së Tij në jetët tona. Disa prej nesh ndryshojnë menjëherë në një fushë të caktuar, ndërsa disa të tjerë duan më shumë kohë. Nëse dikush bëhet i krishterë, por s'ka asnjë ndryshim në zemrën dhe në stilin e jetesës me kalimin e kohës, atëherë ka mundësi që ky person të mos e ketë dashur asnjëherë vërtet Krishtin në jetën e vet që nga fillimi, ose s'e ka kuptuar asnjëherë çfarë do të thotë të bëhesh i krishterë. Romakëve 12:1,2 flet për rritjen e një të krishteri. Ndërkohë që një i krishterë thërret Perëndinë dhe kalon kohë duke lexuar Fjalën e Tij, Perëndia do ta ndryshojë. Te Romakëve 7, Pali tregon sa e vështirë ishte për të të mposhte lakminë dhe sheh si shpresë pranimin nga Perëndia dhe aftësinë e Tij për ta ndryshuar, siç shprehet te Romakëve 8.
Disa të tjerë mund të pyesin…"po nëse një i krishterë heq dorë nga Perëndia?" Po përsëri po ju them se ne nuk e dimë nëse kjo është diçka e përkohshme apo jo. Unë mbaj mend qartë që kam ndjerë peshën e përgjegjësisë si i krishterë, dhe kam pyetur veten mos ndoshta duhej të hiqja dorë plotësisht. Shumë të krishterë që s'e kuptojnë hirin e Perëndisë jetojnë nën ligjin e Tij, dhe shpesh ndihen sikur s'janë në gjendje të gëzojnë Perëndinë. Ata s'e kuptojnë lirinë që kanë në Krishtin dhe si mund të mbështeten në aftësinë e Perëndisë për t'i drejtuar, mësuar dhe ndryshuar. Kështu që disa të krishterë nuk e ndjekin Perëndinë sepse nuk e kuptojnë të jetuarit me besim, jetën e mbushur me Frymën e Shenjtë, apo të jetuarit nën hir. Për ata që largohen nga Perëndia sepse u duken tundimet më tërheqëse, mund të përdorim shëmbëlltyrën e djalit plangprishës (Luka 15) dhe si ati e mirëpret kur kthehet përsëri. Djali nuk u mohua asnjëherë nga i ati, por zgjodhi vetë të largohej dhe vuajti në jetën e vet derisa vendosi të kthehej përsëri. Unë mendoj se kjo është e vërtetë dhe për ata të krishterë që s'kanë një miqësi me Perëndinë. Ata mund të përfshihen në gjëra shkatërruese për jetën e tyre në tokë. Por nuk mendoj se kjo do të thotë që s'janë më të krishterë.
Jeta e përjetshme është një dhuratë. Kur dikush pranon Jezus Krishtin, dhe dëshiron ta ndjekë Atë, Jezusi vjen në jetën e tij dhe krijon një marrëdhënie me të. Nëse ky person duket se nuk po rritet apo largohet nga Perëndia, me siguri që humbasin ato që Perëndia ka planifikuar për ta në këtë jetë. Ky person nuk po përjeton përfitimet që vijnë nga njohja e Perëndisë. Nëse do të vazhdojë në këtë rrugë, vjen një pikë kur mund të pyesësh nëse vërtet do të shkojë parajsë po të vdiste në atë kohë. Hebrenjve 6:4-9 na thotë të kemi kujdes për këtë gjë. Por qëllimi dhe dëshira e Perëndisë është që këta persona të kuptojnë dashurinë e Tij dhe aftësinë e Tij për të punuar në jetët e tyre. Do të ishte me vlerë që të luteshim për një të krishterë që nuk po ecën me Perëndinë, t'i tregonim dashuri dhe, ashtu si ju drejton Perëndia, ta inkurajonim të shihte zemrën e Perëndisë dhe vlerën e të ecurit bashkë me Të. Mendoj se do të përfitonin më shumë nga kjo sesa nga paralajmërimi në lidhje me sigurinë e jetës së tyre të përjetshme. Nëse dikush s'po ecën me Perëndinë, ndoshta është për shkak të perspektivës që ka për këtë jetë dhe të këndvështrimit të ngushtë në lidhje me Perëndinë.