×
Kërko

Pse nuk duhet të dëgjojmë Satanin?

Ishte fillim janari. Sapo isha kthyer në shtëpi pasi kisha folur në disa konferenca. U zgjova e depresionuar dhe e dekurajuar. Më vinin mendime të tilla në mendje si: “Jeta ime mori fund. I ke jetuar vitet më të mira të jetës. Shërbesa ime mbaroi. S’më duket sikur Perëndia më do.” Pse kisha këto mendime në mendje? Nga erdhën? Si mund t’i largoja? Në fund të ditës po ndihesha mirë. Isha në humor më të mirë dhe kisha shpresë. Por çfarë dija unë, dhe çfarë bëra që të vinte ky ndryshim? Po jua tregoj që të keni fitore sa herë që ndiheni të dekurajuar, të frikësuar apo në ndonjë betejë tjetër shpirtërore.

Në gjithë ato vite shërbesë kam mësuar se kemi një armik të shpirtit tonë. Ju s’e shihni, por ai është aty. 1 Pjetrit 5:8 thotë, “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim.” Ne i rezistojmë atij duke qëndruar fortë dhe duke i besuar Fjalës së Perëndisë.

Kush është Satani?

Kush është Satani? Është ai që Shkrimi e quan ‘i ligu’. Nuk është e kundërta e Perëndisë, sikur të ishte në të njëjtin nivel me Perëndinë, sepse Perëndia nuk ka asnjë homolog. S’ka asnjë të barabartë me Perëndinë. Satani është thjesht një engjëll nën gjykimin e Perëndisë. Satani përpiqet të ketë pushtet mbi të krishterët, por neve na është thënë, “Ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.” (1 Gjonit 4:4)

Megjithatë, Satani përpiqet të dekurajojë të krishterët. Ai na tundon për të mëkatuar dhe përpiqet të na largojë nga besimi te Perëndia. Ai është kundërshtari ynë. Ne nuk e shohim, por ai është aty. Vetë Jezusi u lut për ne, që Ati të na mbrojë nga i ligu. (Gjoni 17:15)

Shkrimi i referohet Satanit si akuzuesi, shpifësi, ati i gënjeshtrës, vrasësi, mashtruesi, kundërshtari. Pali thotë te Efesianët, “sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.” (Efesianët 6:12) Ne po luftojmë kundër diçkaje. Te 2 Korintasve 2:11, Pali thotë se i njihte skemat e Satanit. As ne s’mund të tregohemi të paditur.

Ne s’kemi pse të kemi frikë. Unë nuk do ju inkurajoja kurrë të fokusoheshit te errësira, edhe pse ajo ekziston. Përkundrazi, dua që të njihni fitoren që kemi në Krishtin…e vërteta dhe siguria jonë.

Po si vepron Satani? Çfarë bën? Së pari, Satani përpiqet të na mashtrojë - përpiqet ta bëjë një gënjeshtër të duket e vërtetë kur në fakt është thjesht një mashtrim. Dr. Neil Anderson e Shërbesës Liri në Krishtin (Freedom in Christ Ministries) bëri një vëzhgim shumë të dobishëm.

Bibla e përshkruan Satanin në tre mënyra:

  • Tunduesi (Mateu 4:3)
  • Akuzuesi i vëllezërve (Zbulesa 12:10)
  • Ati i gënjeshtrës (Gjoni 8:44)

Dr. Anderson vëzhgoi, “Nëse unë përpiqem t’ju tundoj, ju do ta kuptonit. Nëse unë do ju akuzoja, ju do ta kuptonit. Por nëse unë do ju mashtroja, ju nuk do ta kuptonit (dinit). Fuqia e Satanit qëndron te gënjeshtra. Nëse hiqni gënjeshtrën, keni hequr edhe fuqinë.”

Të konfrontosh Satanin

Si i përballim gënjeshtrat e Satanit? Shohim çfarë thotë Perëndia. Për shembull, kur ndiheni si një i krishterë i ndryshkur sepse mund të mos keni kaluar kohë në lutje apo duke lexuar Fjalën, ose sepse ndiheni sikur e keni zhgënjyer Perëndinë, dhe filloni të mendoni: "Perëndia duhet të jetë zhgënjyer nga unë. Mendoj se do të heqë dorë nga unë." Çfarë thotë Fjala e Perëndisë në këtë rast? “Ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit..” (Filipianët 1:6) Dhe, “Tashmë nuk ka asnjë ndëshkim për ata që janë në Jezu Krishtin.” (Romakëve 8:1)

Ose mund të mendoni, “Perëndia nuk më do vërtet. Nëse do të më donte, unë s'do të kisha gjithë këto probleme." Mund të duket e vërtetë, por çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këtë? Jezusi tha, “Ashtu si Ati më deshi mua, edhe unë ju kam dashur juve.” (Gjoni 15:9) ”Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne. …” (1 Gjonit 4:10) “Shikoni ç`dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë.” (1 Gjonit 3:1)

Ose për shembull, kur jeni të dekurajuar për shkak të një mëkati dhe Satani po ju akuzon duke ju thënë se Perëndia s'do ju falë kurrë. Kjo është gënjeshtër. Si e dimë këtë? Çfarë thotë Fjala e Perëndisë? “Po t`i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjonit 1:9)

Të marrim një shembull tjetër. Ndihesh i/e tërhequr nga një person i cili të thotë: "Nuk është problem për Perëndinë nëse kemi marrëdhënie seksuale, sepse ne duhemi. "Por çfarë thotë Fjala e Perëndisë? “Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer …” (Hebrenjve 13:4) “Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder, jo me pasione epshi, si johebrenjtë që nuk e njohin Perëndinë …” (1Thesalonikasve 4:3-5)

Nuk duhet të lemë ndjenjat tona, apo mendimet dhe gënjeshtrat që vijnë nga Satani të na diktojnë çfarë është e vërtetë. Fjala e Perëndisë është më e vërtetë se mënyra si ndihemi, mendojmë apo shohim diçka. Satani përpiqet të mjegullojë mendimet tona; përpiqet të na bëjë të mendojmë se Perëndia po na privon nga diçka. Por është Perëndia ai që na ka krijuar dhe na do aq shumë sa vdiq për ne. Për të përballuar gënjeshtrat e Satanit, duhet të njihni të vërtetën.

Duhet të njihni Fjalën e tij që t'ju bëjë të lirë. Na është thënë të kundërshtojmë të ligun, "të qëndrojmë të patundur në besim…" (1 Pjetrit 5:9) Besimi nuk është ndjenjë. Është zgjedhje për t'i besuar Fjalës së Perëndisë. Për t'u çliruar nga një betejë shpirtërore ne marrim këto mendime, ndjenja dhe tundime dhe pyesim veten: "Çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këtë?" Te Gjoni 17, pasi Jezusi iu lut Atit "mbroji nga i ligu, " e dini çfarë tha pas kësaj? Ai tha: "Shenjtëroji në të vërtetën tënde. Fjala jote është e vërteta." (Gjoni 17:17) Jezusi gjithashtu ka thënë, ”Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do ju bëjë të lirë.” (Gjoni 8:32)

Kam zbuluar sa e rëndësishme është të dimë që jemi në Krishtin. Pali shkruan te Efesianët, “dhe t`u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini….cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë në Fjalën e tij". (Efesianët 1:18,19) Perëndia jeton në ne dhe na jep fuqi.

Kështu që çfarë duhet të bëjmë sa herë kemi mendime negative rreth vetes, Perëndisë, apo të tjerëve? Efesianët 6:16 thotë, “…duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.” Thotë se do të jemi në gjendje të shuajmë të GJITHA shigjetat e zjarrta të të ligut. Këto janë mendimet që duket se dalin nga asgjëja – si shigjeta të zjarrta. Çfarë bëjmë me këto mendime? Vini re që thotë "marrim mburojën e besimit." Këtë duhet të bëjmë. Nuk mund të tregohemi pasiv në betejat shpirtërore. Jakobi 4:7 thotë, “Kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju.” Duhet t'i besojmë Fjalës së Perëndisë në mënyrë aktive. Nëse ju sulmon ndonjë shigjetë e zjarrtë, shënjestra është mendja juaj. Keni menduar ndonjëherë se DUHEJ t'i dorëzoheshit një tundimi, sikur Satani të ishte duke ju bindur se nuk mund t'i rezistonit? Ky është një varg shumë i mirë që duhet t'ia kujtoni vetes në raste të tilla: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t`ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t`ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni.” (1 Korintasve 10:13)

Të robërojmë mendimet

Satani nuk mund të lexojë mendjet tona, por ai mund të fusë mendime në mendjet tona. 2 Korintasve 10:5 thotë “…t`ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit.” Por cilat mendime duhet të nënshtrojmë (robërojmë)? Mendimet që janë kundër asaj që Perëndia thotë për ju. Mendime që janë kundër asaj që Perëndia thotë për Veten dhe për të tjerët.

Mendimet mund të shndërrohen në veprime; veprimet mund të shndërrohen në vese. Gjithçka fillon me një mendim. Perëndia do që ne t'i besojmë Fjalës së tij më shumë sesa ndjenjave tona, më shumë sesa mënyrës si duket situata ku ndodhemi. Fjala e Perëndisë është më e vërtetë se çdo gjë që unë mund të mendoj. Më e vërtetë se çdo ndjenjë. Më e vërtetë se si duken rrethanat. Bibla thotë që “Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë.” (Isaia 40:8) Davidi thotë te psalmet, “Fjala jote është …. një dritë në shtegun tim.” (Psalmi 119:105)

Jezusi përdori një shëmbëlltyrë për të folur mbi rëndësinë e dëgjimit dhe zbatimit të Fjalës së tij… “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.” (Mateu 7:24,25) Jezusi vazhdon: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” (Gjoni 15:10,11)

Ne mund të përballojmë çdo situatë, çdo mendim apo ndjenjë, dhe t'i kthejmë sytë nga Shkëmbi jonë (Psalmi 18:46), Ai që na do dhe na drejton në të vërtetën. (Gjoni 16:13) Satani mund të përpiqet t'ju tundojë, t'ju dekurajojë dhe t'ju mposhtë. Por ai është gënjeshtar, dhe ne duhet t'i konfrontojmë gënjeshtrat e tij me të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Kur ne marrim në mënyrë aktive mburojën e besimit në Fjalën e Perëndisë, mund të qëndrojmë fitimtar në Krishtin.

“Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.
Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim…”
Psalmi 144:1,2

“Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë;
lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.
Lartojeni Zotin bashkë me mua,
dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj
dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti;
lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë,
por Zoti e çliron nga të gjitha.”
Psalmi 34: 1,3,4,8,19

“Është bukur të kremtosh Zotin,
dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;
të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde
dhe çdo natë besnikërinë tënde.”
Psalmi 92:1,2

Ekstrakt nga një libër që do të botohet nga WaterBrook Press. Copyright © 2004 nga Ney Bailey. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Asnjë pjesë e këtij materiali nuk mund të ribotohet apo të transmetohet në asnjë lloj forme, pa marrë leje me shkrim. Ky artikull mund të ndahet me një individ tjetër nëse shoqërohet nga ky njoftim për të drejtën e autorit.

Ney Bailey është autorja e Faith Is Not a Feeling. WaterBrook Press.

Lexime shtesë:
The Bondage Breaker nga Dr. Neil T. Anderson, Harvest House Publishers Fitore mbi errësirën nga Dr. Neil T. Anderson, Regal Books