×
Kërko

Mos e mbaj frymën

Si të qëndrosh pranë Perëndisë…


Kur nisim së pari një marrëdhënie me Krishtin, kalojmë shpesh fazën e muajit të mjaltit. Marrëdhënia jonë, miqësia jonë është rikthyer me Perëndinë. Mëkatet tona janë falur. Gjithçka është e mrekullueshme.

Dhe është e shkëlqyer.

Por në një botë të rënë e mrekullueshmja nuk është e përsosur. Nuk zgjat shumë dhe muaji i mjaltit merr fund. Ne e gjejmë veten duke mbartur disa barrë të rënda të së kaluarës në marrëdhënien tonë me Krishtin.

Perëndia na ka dhënë një zemër të re, një motivim të ri, një drejtim të ri, por qenia jonë e vjetër nuk largohet gjatë muajit të mjaltit. Ajo qëndron e fshehur në garazh.

K.S. Luis ka thënë njëherë: “Ti e njeh forcën e erës vetëm atëherë kur përpiqesh të ecësh kundër saj.”

Luisi po thoshte se ti e njeh fuqinë e mëkatit vetëm atëherë kur përpiqesh ta ndalosh. Tani, si besimtarë që përpiqemi të ecin me Perëndinë, ne fillojmë të luftojmë për herë të parë me mëkatin dhe fajin.

Kur isha i krishterë i ri, gjëja e parë që e dija se duhej të ndryshonte ishte gjuha. E flisja rrjedhshëm blasfemishten. Nuk thosha dot një fjali pa zënë be. Më kujtohet kur shkova për herë të parë në studim Bible dhe pashë që askush nuk po përdorte asnjë nga fjalët e mia të preferuara. Kuptova se më duhej të ndryshoja. Dhe e bëra.

Por tani, ja, zhgënjimi. Kushdo mund ta ndryshojë një zakon të keq. Kushdo mund të shpallë një qëllim për Vitin e Ri. Mund ta përmbaj veten që të mos eci me shpejtësi kur jam me makinë. Por nuk mund të ndryshoj furinë e rrugës, zemërimin, padurimin. Këto janë çështje më të thella.

Mendoj se, ndërsa të rritemi në shenjtëri, kuptojmë që poshtë sjelljes sipërfaqësore ka mëkat më të thellë. Mendoj se në këtë pikë kuptojmë se kjo është jashtëzakonisht shumë për ne. Në këtë pikë kuptojmë se nuk mund ta transformojmë veten. Por kjo nuk na ndalon ta provojmë gjithsesi.

E dini, mendoj se ne të gjithë kemi të njëjtat strategji bazë për t’u marrë me apo për të mbuluar mëkatin. E para, mendoj se përpiqemi fort. Përpiqemi më shumë. Dhe, kur kjo nuk funksionon, e forcojmë fuqinë tonë të vullnetit me zotime e premtime. “Nuk do ta përsëris më. Nuk do ta përsëris më.”

Pastaj e bëjmë përsëri. Kështu kalojmë në arsyetim dhe mohim. Mendimi ynë i shtrembëruar këtu është: “E di, nëse nuk është zyrtarisht mëkat, nëse nuk është teknikisht mëkat, atëherë nuk është mëkat.” Apo: “Nëse më shtyu dikush ta bëj, atëherë nuk është mëkat.”

Kjo nuk funksionon gjithmonë dhe kështu ne synojmë një lloj veturrejtjeje. Atëherë, kush ka nevojë për vdekjen e Jezusit në kryq, kur ne kryqëzojmë veten? Pa i heqim vetes edhe një dru. “Idiot, pse e bërë përsëri?” Them se në njëfarë mënyre ndihemi sikur kemi qenë në gjendje ta paguanim dënimin për mëkatet tona.

Epo, në këtë pikë, i gjithë gëzimi, e gjithë gjallëria është zbrazur nga jeta e krishterë.

Ecja jonë me Perëndinë nuk është më tepër se menaxhim i mëkatit. Por te Gjoni 10:10, Jezusi thotë: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.” Ka me të vërtetë një jetë të krishterë me bollëk.

Tani që jemi besimtarë, rrëfimi është kushti i Perëndisë për mëkatin tonë. Rrëfimi ka tre përbërës. I pari është më i vështiri. Jo se është aq i vështirë, por sepse është i huaj për ne. Ajo që duhet të bëjmë, kur kemi mëkatuar apo më mirë kur ndihemi të bindur për mëkat, është të ndalojmë… dhe të pranojmë para Perëndisë se ajo që kemi bërë është mëkat. 1 Gjonit 1:9 thotë: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.”

E dyta, pranojmë se ajo që bëri Jezusi në kryq shleu dënimin për atë mëkat. Dhe, e treta, pranojmë ta lëmë atë mëkat dhe të kthehemi te Perëndia, gjë të cilën e quajmë pendim.

Nëse mendoni për procesin nëpër të cilin kaluat kur erdhët te Krishti, në një pikë kuptoni se kishit një problem mëkati. Për shembull, le të themi se po peshkoj dhe mendja më shkon në shumë gjëra. Le të themi se turbullohet kur sheh një grua që mban veshur një kostum banje që mezi e mbulon. Pas ca kohe arrij të bindem për mëkatin... e kam parë me epsh. Tani, kam disa mundësi. Mund të arsyetoj: “Epo, unë djalë jam. Ç’të bëj?”

Mund ta justifikoj: “Nuk kam bërë kurvëri apo ndonjë gjë tjetër.”

Mund t’ia hedh fajin asaj: “Ç’do ajo e veshur në atë mënyrë?”

Mund ta rrëfej mëkatin. E pranoj para Perëndisë se ajo që kam bërë është mëkat. “Zoti Jezus, e kam parë me epsh... në zemër dhe në mendje. Më fal.” E pranoj që Krishti e ka shlyer dënimin tim për mëkatin. “Zot, falemnderit që ke shlyer dënimin për mëkatin tim.” Do ta braktis mëkatin. “Zot, nuk dua të mbetem në epsh. Dua të jetoj një jetë të pastër dhe të shenjtë.”

Ky është procesi i rrëfimit. E bëjmë çdo ditë, e bëjmë çdo orë, sa herë që mëkatojmë.

Kur e rrëfejmë mëkatin, pastrohemi prej tij. Dhe miqësia jonë me Perëndinë rivendoset. Kjo është gjë shumë e mirë, apo jo? Dua të them, është si të marrësh frymë thellë në ajër të pastër. Të krijon një ndjenjë të mrekullueshme. Por kemi edhe një çështje të fundit, që është kjo.

Si do të mbahemi që të mos biem në mëkat përsëri dhe përsësri dhe përsëri?

Mendoj se si të krishterë e kuptojmë të gjithë se kemi jetën e përjetshme dhe se jemi falur për mëkatet tona. Por një pjesë të mirë të kohës ne harrojmë se Fryma e Perëndisë banon në ne. Nuk jemi lënë vetëm që ta ndjekim Jezusin me forcat dhe përpjekjet tona.

Fryma e Shenjtë dëshiron të na udhëheqë, drejtojë, fuqizojë dhe motivojë. Në fakt, tek Efesianëve 5:18, Perëndia na urdhëron: “Mbushuni me Frymën.” Ky është një partneritet dhe ne kemi një rol për të luajtur. Roli i Perëndisë është të udhëheqë, të drejtojë dhe të fuqizojë. Roli ynë është i dyfishtë. Së pari, kemi nevojë të bindemi. Bindja është një fjalë që Jezusi e përdor dhe ka kuptimin “të ndihesh rehat me këtë gjë.”

Ne kemi përgjegjësinë që të ndihemi rehat me Jezusin gjatë gjithë ditës. Kjo do të thotë që të jeni sa më afër me të gjatë gjithë ditës, sa më shumë që të mundeni.

Kjo do të thotë se ne nuk lutemi vetëm njëherë në ditë, por gjatë gjithë ditës. Që do të thotë se, sa herë që shikojmë diçka, falënderojmë. Falënderojmë gjatë gjithë ditës. Falënderojmë Perëndinë gjatë gjithë ditës, sa herë që na vjen ndonjë gjë në mendje, për të cilën duhet të lavdërojmë Perëndinë. Lavdërojmë Atë. Dhe e rrëfejmë mëkatin sa herë që ai shfaqet në jetën tonë, për të cilin ndërgjegjësohemi nga Fryma e Shenjtë. Ndërsa falënderojmë, lavdërojmë, rrëfejmë dhe lutemi, qëndrojmë pranë Perëndisë gjatë gjithë ditës.

Ne jemi duke qëndruar në Të dhe, si rezultat, Fryma është e lirë të na fuqizojë dhe të na ndikojë.

Gjëja e dytë është mbështetja. I keni vënë re njerëzit që vijnë rrotull vazhdimisht me me shishe uji apo me termus kafeje. Gjatë gjithë ditës, sa herë që kanë nevojë, pinë ndonjë gllënjkë.

Është një lloj mekanizmi mbështetës. Nëse janë vetëm, pinë një gllënjkë. Nëse janë të trembur, pinë një gllënjkë. Nëse duhet të mendojnë, pinë një gllënjkë. Sa herë që kanë nevojë. Sa herë që ndiejnë etje në jetën e tyre, pinë një gllënjkë. Ajo që do të thotë të ecësh në hap me Frymën është kthimi i këtij mekanizmi mbështetës drejt Perëndisë.

Kjo do të thotë gjatë gjithë ditës, sa herë që kemi nevojë. “Zot, më jep urtësi. Zot, kam nevojë për forcë tani. Zot, nuk di se ç’të bëj. Zot, më jep drejtim.”

Kur mbështetemi në Perëndinë dhe qëndrojmë sa më pranë Tij, Fryma e Perëndisë është e aftë të na udhëheqë, drejtojë dhe të na forcojë.

Këtu folëm për shumë gjëra. Unë dua të mos i harroj ato që thamë. Kështu që do të përdor ilustrimin e frymëmarrjes, në rregull? Në procesin e frymëmarrjes ne marrim frymë dhe nxjerrim frymë.

Marrim frymë dhe nxjerrim frymë

Nxjerrja e frymës është si rrëfimi. Nxjerr jashtë ajrin e keq. Mos harroni se rrëfimi përmban tri gjëra. Ti e pranon përpara Perëndisë mëkatin tënd. E pranon që Krishti e shleu dënimin për atë mëkat. Ti pranon që ta lësh mëkatin dhe të pendohesh. Kjo është frymënxjerrja, nxjerrja e ajrit të keq. Në rregull?

Marrja e frymës mbështetet në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Që do të thotë se po i besoni Frymës së Perëndisë t’ju udhëheqë dhe drejtojë. Ju besoni se Perëndia do ta bëjë atë. Dhe përderisa Perëndia na urdhëron të mbushemi me Frymë, mund të besojmë se Ai do ta bëjë atë.

Pra, kur marrim frymë, po themi: “Zot, të lutem më mbush, të lutem më forco, të lutem më drejto.”

Kështu, ne nxjerrim frymë dhe marrim frymë. Rrëfejmë dhe mbështetemi në Frymën e Perëndisë. Ashtu si në procesin e frymëmarrjes, kjo nuk është diçka që e bën vetëm njëherë në ditë. Ndodh gjatë gjithë ditës. Pra, bëjeni këtë gjatë gjithë ditës, merrni frymë dhe nxirrni frymë. Sa herë që të ketë mëkat, nxirrni frymë (duke rrëfyer) dhe merrni frymë (duke i besuar Frymës së Perëndisë që të punojë në jetën tuaj).

Tani, në fillim mund të duket paksa e vështirë, por, më besoni, brenda një kohe të shkurtër do të jetë kaq e natyrshme sa... frymëmarrja.

Perëndia na ka krijuar për një jetë të re. Një jetë që është e lirë nga fuqia e mëkatit dhe në miqësi të ngushtë me Perëndinë.

Një ilustrim i fundit. Përfytyroni se po përpiqeni të zhyteni me bombolën e oksigjenit bosh. Jeni zhytur nën peshën e ujit dhe furnizimi me oksigjen është ndërprerë plotësisht. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të mbështetemi në fuqinë e Frymës së Shenjtë përmes frymëmarrjes shpirtërore. Pa të, ne shkëputemi nga burimet shpirtërore që na duhen për të jetuar jetën e krishterë. Na pushton pesha e madhe e mëkatit tonë dhe e kufizimeve njerëzore. Ajo na shtyp dhe ne nuk mund ta mbajmë. Por, si të fuqizuar nga Fryma e Shenjtë, Ai mund të na çojë në vende të reja, të mrekullueshme, të cilat as që i dinim se ekzistonin. Gjithçka që duhet të bëjmë është të marrim frymë.